|
KFOR-i ka tërhequr masën e pezullimit të mbështetjes për Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila ishte ndërmarrë më 5 mars pas pjesëmarrjes së kësaj të fundit me armë në një ceremoni me rastin e një përvjetori të UÇK-së.
Në një komunikatë të lëshuar nga KFOR-i thuhet se Presidenti dhe Kryeministri kanë punuar me komandantin e KFOR-it që ta zgjidhin në mënyrë të kënaqshme këtë çështje.
Në komunikatë thuhet se kjo ka rezultuar në një marrëveshje të re e cila përcakton mënyrën e përdorimit të njësisë ceremoniale të Forcës së Sigurisë së Kosovës që mund të vazhdojë t’i përdorë armët e demilitarizuara, me pajtimin e Komandantit të KFOR-it dhe rikonfirmon se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të ketë rol mbrojtës apo ushtarak, meqë kjo detyrë i përket KFOR-it.
Pas kësaj marrëveshjeje, KFOR-i ka konfirmuar se do ta pezullojë masën e mëparshme dhe do të vazhdojë rolin e tij trajnues dhe mentorues.
|