|
Heroi i Krushopekut
Sami Nuredini nga fshati Krushopek pas misionit të tij të shpëtimit të vajzës së re që ishte përmbytur në lumin Vardar është bërë një figurë mediatike, por që nuk shpëtoi edhe pa shpërblimin e duhur
Sami Nuredini nga fshati Krushopek i Sarajit thotë se nuk ka pritur që do të bëjë aq jehonë kërcimi i tij në lumin Vardar nga Ura e Gurit, për të shpëtuar të martën vajzën e re 24 vjeçare nga fshati Batincë i Shkupit. Ai thotë se gjithnjë është i përkushtuar për misionin e tij human dhe ka shumë emocione për të përshkruar dramën tragjike që atë ditë kishte ndodhur dhe që ai ishte protagonisti i rastësishëm në momentin kur valët e Vardarit po bartnin vajzën e cila lëshonte zërin për të shpëtuar. Samiu, në moshën e tij të re vetëm 20 vjet, mbeti në qendër të vëmendjes dhe se ai dje për misionin e tij u shpërblye nga kryetari i komunës Qendër, Vladimir Todoroviç. I riu nga Krushopeku përveç një mirënjohje, përfitoi edhe shpërblimin prej 2 mijë eurove. Përveç kësaj atij i`u sigurua edhe vendi i punës në marketet “Tineks”, pronarë i së cilëve është kryetari i komunës Qendër. Kjo ishte një befasi për të Sami Nuredinin i cili ishte i papunë dhe vetëm me shkollim fillor. Poashtu të papunë janë edhe gjithë anëtarët e familjes së tij.
Misioni shpëtimtar i i “heroit” Sami Nuredini ndodhi ditën e martë, kur ai pasi kishte parë vajzën duke bërë thirrje për shpëtim në mesin e lumit Vardar, pa hezitim dhe pa u shqetësuar për temperaturat e ulëta që kishin mbretëruar, kishte kërcyer në lumë duke rrëmbyer 24 vjeçaren. Dëshmitarët okularë theksuan se për 30 minuta nuk kishin ardhur autoritetet e shpëtimit dhe ndihma e shpejtë për t`i dalë në ndihmë shpëtimtarit dhe vajzës së shpëtuar. Zëvendëskryeministri i Qeverisë Abdylaqim Ademi e dekoroi në shenjë mirënjohjeje dhe falenderimi me portretin e Nënës Terezës, Sami Nuredinin.
"Jam këtu për ta takuar djaloshin i cili bëri një hakt human, akt të cilin ndoshta dikush tjetër ndoshta edhe nuk do ta kishte bërë, mirëpo ai në ato memente ka gjetur edhe forcën edhe humanitetin për të shpëtuar një jetë. Mendoj se kjo është e rëndësishme në këto momente për ta theksuar dhe për ta falenderuar për këtë akt", tha nënkryministri Ademi.
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë bëri të ditur se në fëmijërinë e tij edhe ai ka pasur një rast të ngjashëm si ky dhe e shfrytëzoi rastin që të falënderojë njeriun që ia ka shpëtuar jetën. Në lidhje me ofertën për punë të cilën e ka marrë Samiu nga kryetari i komunës Qendër, Ademi u shpreh se aktin të cilin e ka bërë Samiu nuk e ka bërë për të mira materiale, sepse aktet e këtilla nuk shpërblehen dhe nuk kanë çmim. “Unë u preka nga humaniteti, sakrifica e Samir Nuredinit, dhe nuk mund të qëndroja indifferent andaj vendosa ta ftojë, Samiun këtu në komunë”, ka deklaruar kryetari i komunës Qendër, Vlladimir Todoroviq, duke shtuar se gjesti i Samiut meriton vëmendje të veçantë. (INA)
|