|
Skandaloze: Probleme dhe diskriminim fetar në rajonin e Strugës
Lejohet kisha, bllokohet xhamia
Inspektorati Republikan për Urbanizëm në rajonin e Strugës ka sjellë dy vendime skandaloze në rajonin e Strugës, me njërin vendim duke bllokuar ndërtimin e xhamisë pas vënies së gurthemeleve në fshatin Belicë të Sipërme dhe me vendimin tjetër, duke lejuar ndërtimin e kishës ortodokse në fshatin Oktis. Komuna e Strugës është deklaruar kundër këtyre dy vendimeve. Në këtë lojë është kyçur edhe Pasko Kuzman, drejtori i Drejtorisë për mbrojtje kulturore dhe trashëgimi historike, i cili po punon në bllokimin e ngritjes së xhamisë. Çfarë në të vërtetë po ndodhë me këto vendime diskriminuese
Mehmet Latifi/INA
Ministria e Transportit dhe Lidhjeve përmes Inspektoratit Republikan për Urbanizëm ka vepruar muajt e fundit në mënyrë të njëanshme dhe diskriminuese ndaj komunitetit mysliman në zonën e Strugës. Dy vendime të dëmshme të sjellura nga inspektorati kanë treguar hapur islamofobinë dhe ortodoksizmin e shfaqur. Ky institucion brenda kësaj periudhe me një vendim të plotfuqishëm ndaloi ndërtimin e xhamisë në fshatin Belicë e Sipërme, me arsyetimin se është aprovuar ankesa e bashkësisë lokale të këtij fshati që banohet tani nga vllehë, maqedonas dhe shqiptarët, që tani me shumicë janë shpërngulur nga ky fshat që gjendet dy kilometra afër kufirit me shtetin shqiptar. Po ky Inspektorat për Urbanizëm ka miratuar vendimin për ndërtimin e kishës ortodokse në fshatin Oktis, në të cilin nuk ka maqedonas, por vetëm popullsi myslimane.
Si po bllokohet ndërtimi i xhamisë
Projekti për ndërtimin e xhamisë në Belicë të Sipërme është një propozim i dalë nga mërgimtarët shqiptarë të këtij fshati, për të cilin projekt është dhënë dritë jeshile edhe nga ana e Myftinisë së Strugës, por në mënyrë indirekte edhe nga autoritetet komunale të Strugës. Edhe përkundër vënies së gurthemelit, projekti është bllokuar pas reagimeve të bashkësisë lokale, Kisha Ortodokse Maqedonase (KOM) përmes peshkopit Timotej, por edhe angazhimi aktiv i drejtorit të Drejtësisë për Mbrojtje Kulturore dhe Trashëgimi Historike, Pasko Kuzman, i cili në forma të ndryshme përmes bllokadave institucionale ka ndërprerë punimet e xhamisë.
Kuzman ka kërkuar nga Muzeu i Ohrit të vendos me urgjencë marrjen e këtij lokacionin nën mbikëqyrje, për shkak se sipas tij, bëhet fjalë për lokacion arkeologjik dhe ai duhet të merret nën mbikëqyrje për shkak të fillimit të gërmimeve arkeologjike. Por nga bashkësia lokale kanë spekuluar me tjera argumente se në lokacionin që duhet të ndërtohet xhamia ishte paraparë objekt sportiv me emrin e Toshe Proevskit.
Myftinia e Strugës ka pohuar se lokaliteti dhe fshati është edhe mysliman dhe se para dy viteve janë zbuluar varreza myslimane. Bashkësia lokale ka dalur me pretendime albanofobe dhe islamofobe, duke këmbëngulur që të tërhiqet gurthemeli i ngritur tani një muaj më parë. Ndërkaq, Hamit Ameti nga Belica e poshtme dhe Amet Ismaili po ashtu nga Belica që tani jeton në Shum, treguan për shumë varreza të ruajtura, bashkë me gurët, duke treguar edhe gurin me epitaf-mbishkrimin në gjuhën e shkrimin arab, ku është saktësuar viti i varrimit 1315 të kalendarit Gregorian, që do të thotë se ky varr është i vjetër plot 694 vjet.
Kisha në fshatin mysliman
Në fshatin Oktisi po vazhdon beteja midis banorëve tërësisht mysliman dhe KOM-it e banorëve sllavo-ortodoks, për kishën tashmë me gurthemele të vendosura. Komuna e Strugës ka bllokuar ndërtimin e këtij objekti, edhe pse punimet kanë vazhduar. Mirëpo ditëve të fundit dritë jeshile ndërtimit të kishës i ka dhënë edhe Inspektorati për Urbanizëm i Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve. Komuna e Strugës ngelet në vendimin e saj kundërshtues, duke shfuqizuar vendimin dhe duke kërkuar dorëzim të sërishëm të dokumentacioneve, por edhe duke kërkuar miratimin e bashkësisë lokale të fshatit. Banorët mysliman theksojnë se kisha është objekt i egër dhe nuk do të lejohet ndërtimi i saj. Mirëpo pas vendimit të Inspektoratit për Urbanizëm, këshilli nismëtar për kishën është inkurajuar që të vazhdohet projekti i nisur. Epilogu i këtyre padrejtësive dhe projekteve nuk dihet se si do të jetë pas vendimit të Inspektoratit për Urbanizëm edhe për xhaminë në fshatin Belicë të Sipërme, por edhe për kishën në zemrën e fshatit Oktis, të banuar kryesisht nga myslimanët.
E vërteta historike për Belicën e Sipërme shqiptare
Historiani dhe hulumtuesi, prof.dr. Nebi Dervishi ka theksuar se shënimet dhe dokumentet arkivore turke, nga viti 1536-1539 si dhe dokumentet tjera nga viti 1583, dëshmojnë se në Belicë kanë jetuar fise autoktone vllehe dhe shqiptare.
“Këto janë fise ilire, të cilat janë romanizuar dhe janë asimiluar gjatë periudhës së shekullit IV-V të epokës sonë. Por, ajo që është e rëndësishme, Belica kurrë nuk ka qenë maqedonase, nuk ka qenë e populluar me maqedonas, por vetëm me vllehë të romanizuar dhe shqiptar”, ka theksuar kryetari i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë në Maqedoni, prof.dr. Nebi Dervishi, duke shtuar në studimet e tij nuk ka hasur se ky fshat është banuar me maqedonas. Historiani vlleh, Todi Trajani, në librin e tij “Vllehët e islamizuar” pohon se ndër familjet e “konvertuara” janë edhe familja Gega si dhe dy familje tjera që aktualisht jetojnë në fshatin Shum të Strugës. Kjo që bëhet tani, është një politikë albanofobe dhe islamofobe, ngjashëm me Pesoçanin, ku ka ekzistuar xhamia, por pas masakrës së mirënjohur, është banuar me maqedonas dhe më 1938 kanë ndërtuar kishë dhe sot pohojnë se ky fshat është maqedonas.
|