Përfundimisht del në dritë i tërë projekti për ndryshimin dhe uzurpimin e pamjes së sheshit qendror të Shkupit me kishën ortodokse “Shën Konstantini dhe Elena”, përmendoret e personaliteteve historike sllavo-maqedonase dhe figura të periudhës së Maqedonisë antike dhe shumë elemente të tjera skulpturore që do të rrënojnë imazhin e multietnicitetit që reflektohej nga “Ura e Gurit”. Ja projekti i tërësishëm se çfarë do të përmbajë sheshi i Shkupit i ashtuquajturi “Maqedonia”
Projekti ndryshon pamjen e tërësishme të sheshit qendror të Shkupit, ku përskaj do të vendosen edhe një pjesë e institucioneve. Kisha në planin e prezantuar do të vendoset në lokacionin tregtar “City Gallery” dhe restorantin “Pelister”, ndërsa thuhej se ajo tokë i është ndarë Kishës Ortodokse Maqedonase dhe pritet vetëm vendimi se kur do të nisin punimet.
Ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançevska – Milevska ka theksuar se të gjitha ndërtimet që do të bëhen dhe vendosen në sheshin e Shkupit i plotësojnë karakteristikat e ndërtimeve moderne. Sheshi “Maqedonia” do të ketë portën e posaçme që do të mbajë të njëjtin emër dhe që do të ndërtohet në pjesën ku është ndërtesa e EVN-së. Në projekt shihet qartë edhe vendosja e busteve të personaliteteve sllavomaqedonase historike Metodija Andonov - Çento, Car Samoili, Goce Dellçev, Dame Gruev dhe figura historike e Justinianit të Parë. Punimet parapërgaditore për vendosjen e këtyre busteve filluan dje në sheshin “Maqedonia”. Kryetari i komunës Qendër, Vlladimir Todoroviç ka qartësuar se sheshi rregullohet për të reflektuar frymën e historisë dhe kulturës së Maqedonisë. “Shkupi është kryeqytet ku duhet të ndjehet fryma e historisë dhe kulturës së Maqedonisë, dhe këtë do ta bëjmë më mirë, duke shprehur respekt për të gjitha ata që dhanë kontributin e tyre”, ka theksuar kryetari i komunës, Todoroviç. Para Parlamentit të Maqedonisë do të ndërtohet busti i Nikolla Karevit, ndërsa në parkun pranë Parlamentit do të vendosen buste të themeluesve të VMRO-së, presidiumit të ASNOM-it si dhe bustet për “branitellat” e vitit 2001.
Në kuadër të këtij projekti do të ndërtohen edhe institucione shtetërore, hotele dhe objekte kulturore. Në lumin Vardar janë paraparë të ndërtohen dy ura të reja, njëra prej të cilave do të jetë e shoqëruar me 28 skulptura, ndërsa në urën tjetër të emërtuar “Ura e artit” do të vendosen skulpturat e Toshe Proevskit, Vëllezërve Milladinov, Koço Racin, Gligor Përliçev, Nikolla Vapcarov, Aco Shopov si dhe artistë të bashkësive etnike. Projekti “Shkupi 2014” parasheh edhe ndërhyrjet që do të bëhen në Kalanë e Shkupit.
Partitë kundërshtojnë projektin
Të gjitha partitë politike kanë reaguar kundër projektit të komunës Qendër, duke i vlerësuar si vepra çmendurie të kësaj qeverie. “As LSDM-ja, as qytetarët e Maqedonisë mundet që me kohë të reagojnë për të gjitha këto çmenduri të Qeverisë së Nikolla Gruevskit dhe pushtetit lokal që është nën udhëheqjen e tyre”, ka theksuar shefja e grupit parlamentar të LSDM-së, Cvetanka Ivanova. Duke shtuar se kaosi urban, kriminaliteti dhe harxhimi i parave të popullit për përmendore të ndryshme po shkojnë në pafundësi. Edhe deputetja e Partisë Liberal-Demokrate (PLD), Roza Topuzova-Karevska ka theksuar se Qeveria po e shëndrron kryeqytetin në kiç dhe një qytet pa shije. Edhe deputetja e DR-së, Flora Kadriu ka kundërshtuar projektin e propozuar, duke theksuar se nuk reflektohet realiteti shumetnik i kryeqytetit të Shkupit dhe se ajo kërkoi tërheqjen e këtij projekti. Edhe BDI ka reaguar kundër planit të shpalosur të komunës Qendër, duke theksuar se janë fuqimisht kundër projekteve të tilla. “Ne qëndrojmë pas asaj se nuk i mbështesim këto projekte dhe nuk jemi dakord që në sheshin e Shkupit të bëhet ndërtimi i përmendoreve historike si dhe ndërtimi i kishës”, ka theksuar deputetja Ermira Mehmeti. (INA)
|