|
Mbi 250 mësues të mësimit fetar në shkollat fillore do të ngelin pa punë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese dje ka anuluar nenin 26 të Ligjit për arsimin fillor, me të cilin aplikohej mësimi fetar nëpër shkollat fillore të Maqedonisë.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se afër 300 mësues, kryesisht teolog ishin angazhuar për dhënien e mësimit fetar nëpër shkollat fillore të vendit.
Kjo ministri shprehu keqardhje dhe bëri të ditur se do t`i sqarojë teologëve arsyet e largimit të tyre nga puna.
Bashkësitë fetare kanë reaguar lidhur me këtë vendim të gjykatës. Bashkësia Islame Fetare e Maqedonisë (BFIM) ka theksuar se vendimi bazohet në stereotipe dhe ateizëm.
Kisha Ortodokse Maqedonase (KOM) vlerësoi se vendimi ka qenë i pritur, por sipas kreut të këtij komuniteti, do të gjenden forma të tjera për të aplikuar mësimin fetar.
Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj nënvizoi se me aplikimin e mësimit fetar në shkolla ishte shkelur sekularizmi në shtet. (Ardian Mehmeti/INA)
|